Sporti

Bologna kërkon shërbimet e Albion Rrahmanit

05/23/2024 22:46
nga:E K

“Emiljanët” e Bologna ishin padyshim surpriza më e bukur e këtij sezoni në Serie A, me “Kuqeblutë’, që siguruan me meritë një biletë në grupet e Champions League për sezonin e ardhshëm, mirëpo duket se ky grup i mrekullueshëm që është krijuar te kjo skuadër do të shkrihet gjatë merkato së verës.

Tekniku italo-brazilian, Thiago Motta do të largohet drejt Juventus, ndërkohë që me valixhe gati është edhe Joshua Zirkzee, “ylli” i skuadrës, me “tulipanin” holandez, që pëlqehet shumë nga “Zonja e Vjetër”, por edhe “Djajtë” e Milan, teksa nuk përjashtohen as kalimi në Premier League apo rikthimi te Bayern.

Për këtë aryse, drejtuesit e Bologna kanë nisur nga puna për të gjetur zëvendësuesin e tij dhe në listën e dëshirave është edhe një shqiptar. Bëhet fjalë për Albion Rrahmanin, sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës, pjesë e Rapid Bucurest në Rumani.

“Dardani’ ka realizuar plot 19 gola këtë sezon me ekipin kryeqytetas me 23-vjeçarin nga Podujeva, teksa numëron edhe 5 asistime dhe falë këtyre performancave pozitive ka tërhequr vëmendjen e klubeve të ndryshme.

Benfica e monitoron prej kohësh, gjithashtu edhe Werder Bremen, por jo vetëm, pasi Rrahmani pëlqehet shumë edhe nga Bologna dhe sipas shtypit italian raporton se dyshja Sartori-Di Vaio po ndjekin me interes goleadorin e talentuar, për të cilin Bologna do të ishte një destinacion perfekt.