Lajme

Bojkoti i mësimit nga klasat e dyta në shkollën “Dardania” në Prishtinë, kryetarja e prindërve: Do të vazhdojmë deri në ndryshim të orarit

09/16/2024 11:16
nga:G B

Orari i ndërrimit të tretë nga ora 15:00 deri në orën 18:25 i nxënësve të klasës së dytë, në shkollën Dardania në Prishtinë, ka bërë që prindërit të vendosin për bojkot të mësimit.

Për këtë prindërit e nxënësve të klasës II/4 të kësaj shkolle, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre.

Lidhur me këtë bojkot që ka nisur sot, kryetarja e Grupit të Prindërve, Besarta Rrahmani, tha për Gazeta Blic se nuk pranojnë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në këtë orar, i cili shihet si i papërshtatshëm.

“Ne kërkesën e kemi bërë për drejtorinë e shkollës dhe drejtorinë e arsimit të Komunës, njëkohësisht e kemi informuar edhe mësuesen e klasës që nga data 16 nuk do t’i dërgojmë fëmijët në shkollë, si shenjë protestimi për shkak të orarit, i cili është i ndërrimit të tretë, prej orës 15”, thekson ajo.

Rrahmani tregon se përgjigja që kanë marrë nga mësuesja e klasës është se shkolla është në renovim deri në fund të nëntorit.

“Realisht, nga mësuesja kemi marrë disa përgjigje, sepse shkolla është në renovim që 2 vite, kemi marrë një përgjigje që shkolla deri në fund të nëntorit është në renovim, pastaj do t’i kthehet normalitetit, por sido që të jetë ne nuk e pranojmë këtë orar për fëmijët tanë dhe kemi vendosur ta bojkotojmë mësimin”, thotë ajo për Gazeta Blic.

Megjithatë, ajo thotë se janë skeptikë nëse renovimi mund të përfundojë në atë kohë.

“Renovimi deri në fund të nëntorit, kjo është një përgjigje sa për fillim, por jemi skeptikë për këtë situatë, nëse vërtetë do të përfundojë renovimi deri atëherë apo do të zgjasë edhe më shumë”, thekson ajo.

Po ashtu, Rrahmani shprehet e vendosur që bojkotin do ta vazhdojnë deri në ndryshim të orarit.

“Ne jemi shumë të vendosur të vazhdojmë kështu, derisa të na e ndryshojnë orarin dhe ta bëjnë një orar më të përshtatshëm, çfarëdo orari tjetër por jo orari i ndërrimit të tretë”, deklaron kryetarja e Grupit të Prindërve, Besarta Rrahmani./Gazeta Blic/