Lajme

Bojkoti i Kuvendit nga opozita/ KDI: Seancat mund të dështojnë në tërësi – ky skenar bllokimi tejet i dëmshëm

07/04/2023 19:21
nga:G B

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar të hënën se do ta bojkotojë punën e Kuvendit, pas situatës së krijuar nga masat e BE-së ndaj Kosovës.

Pas LDK, ishte partia tjetër opozitare që po ashtu dje që kumtoi vendimin se nuk do të votojë as në seanca e as në komisione parlamentare. PDK po ashtu vendosi për pezullim të komunikimit me presidenten e kryeministrin.

Lidhur me bojkotin e punës së Kuvendit nga PDK e LDK, për Gazeta Blic ka folur Arbër Thaçi, hulumtues nga KDI.

Ai vlerëson se bojkoti i Kuvendit nga opozita do të ndikojë shumë në punën parlamentare dhe një nga sfidat do të jetë mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Vendimi për bojkotimin e punës parlamentare nga partitë opozitare, sigurisht që do të ndikojë shumë – veçanërisht në rrethanat e këtij sesioni, kur vazhdueshëm janë shfaqur problemet e mungesës së kuorumit dhe dështimit të votimeve apo edhe të krejt seancave. Një nga sfidat fillestare do të jetë mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat edhe ashtu janë në pritje tani e disa javë”, thotë ai.

Sipas Thaçit, nuk përjashtohet mundësia që të dështojnë seancat, ndërsa që një skenar bllokimi si ky do të ishte rezultati i fundit i bojkotit

“Mirëpo, në frymën e këtij sesioni, duke vlerësuar praktikat e mungesave të deputetëve, nuk përjashtohet mundësia që të dështojnë seancat në tërësi, në pamundësi të plotësimit të kuorumit. Një skenar bllokimi si ky do të ishte rezultati i fundit i bojkotit dhe tejet i dëmshëm për punën e Kuvendit të Kosovës”, deklaron Arbër Thaçi nga KDI.

Ndryshe, partia tjetër opozitare, AAK, ka bërë të ditur dje për Gazeta Blic se do të mblidhet të mërkurën për të diskutuar për hapat e mëtejmë ndaj Qeverisë, pas situatës së krijuar./Gazeta Blic/