Një person i dyshuar për kanosje është arrestuar të enjten në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë.
Lajmin për teve1.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Pllana ka bërë të ditur se i dyshuari është duke u intervistuar nga ana e Policisë së Kosovës.
“Sot rreth orës 11:00 kemi pranuar informatën për një rast Kanosje në rrugën Ahmet Krasniqi në Prishtinë. Njësitet policore janë angazhuar menjëherë dhe kanë arrestuar një person të dyshuar, i cili është duke u intervistuar”, ka thënë Pllana.
Ndryshe, Policia e Kosovës më herët gjatë ditës kishte bllokuar për qarkullim të automjeteve dhe kalimtarëve rrugën në lagjen “Arbëri” të Prishtinës në afërsi të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


