Drejtoresha e Grupit Koha, Flaka Surroi e ka implikuar edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, në luftën e saj ligjore kundër Komunës së Prishtinës për mbylljen e qasjes për punonjësit e KTV-së, objekti i të cilit ndodhet në objektin që menaxhohet nga Agjencia e Privatizimit.
Surroi ka thënë se Abdixhiku ka refuzuar të jetë mysafir në KTV që prej kohës kur është zgjedhur kryetar i LDK-së.
Megjithatë, Surroi tha se beson që ai nuk është përfshirë në vendimin e Komunës së Prishtinës dhe kryetarit të saj Përparim Rama kundër KTV-së.
“Po të udhëhiqesha nga teoria e konspiracionit, do të thosha se kryetari i Prishtinës është urdhëruar nga kryetari i LDK-së që të na e kufizojë punën tonë duke na e mbyllur qasjen në objektin ku punojmë”, tha Surroi të hënën, përmes një postimi në Facebook.
“Megjithatë, pavarësisht faktit se Lumiri, qëkur është zgjedhur kryetar i LDK-së, ka refuzuar të vijë në KTV, e besoj se vendimi i Perparimit ka qenë i vetë kryetarit të Kryeqytetit, i udhëhequr nga nevoja për t’i dhënë zgjidhje parkingut nëntokësor që rri zbrazur”, tha ajo.
Surroi ka thënë se sot ka parashtruar padi kundër kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
“Zgjidhje për problemin që do që ta krijojë, ka. Për këtë arsye sot kam parashtruar kundërshtimin te zyra e tij, ankesë në MPB, si ministri e linjës që e mbikëqyr Drejtorinë e Shërbimeve Publike, dhe kam ngre Padi për kontest administrativ duke kërkuar masë të përkohshme”, ka thënë Surroi.