Lajme

Bllokimi i kamionëve serbë, vazhdojnë paqartësitë për vendimin

06/21/2023 20:12
nga:Astrit Gashi

Radhë kamionësh që presin të kalojnë kufirin në pikën kufitare Merdare.

Këta kamion me targa serbe e që pretendohet të ketë edhe mallra nga ky shtet që nga 14 qershori vazhdojnë të mos lejohen të hyjnë në Republiken e Kosovës.

Policia kufitare këtë vendim po e respektojnë nga 14 qershori kur u kuptua se Serbia ka kidnapuar tre polic kosovarë në vijën kufitare, Bare të Leposaviqit.

Mirëpo ky vendim që po respektohet nga Policia e Kosovës, asnjëherë nuk është paraqitur në publik si vendim i ndonjërit prej dikastereve ekzekutive.

Për cka dukagjini ka pyetur Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Brendshme si monitoruese e kufijve e dhe ministrinë e Tregtisë që ka nën kompetencë mallrat, mirëpo asnjëra nga këto institucione nuk kanë dhënë përgjigje nëse ekziston një dokument i protokolluar që i vendos embargo Serbisë.

E krejt kjo gjendje e paqartë duket se do të ketë një ndikim të keq në aspektin politik e ndërkombëtar për Kosovën.

“Në aspektin politik dëmi për Kosovën kur ka paqartësi të vendimit ka ndikim tjetër, në momentin kur ka konfuzitet edhe karshi Serbia edhe karshi ndërkombëtarëve , Kosova mund të duket jo serioze. Në këtë kohë kur situatat në teren është e tensionuar dhe dialogu Kosovë-Serbi është në krize atëherë më mirë të kemi vendime të qarta që dihet qëllimi i tyre dhe strategjia”, ka deklaruar Arbër Fetahu nga GLPS.

Përpos në aspektin politikë, ky vendim po shihet jo i menduar mirë edhe në aspektin ekonomik të Kosovës.

“Ky vendim ka shkaktu problem teknike pasi bizneset nuk kanë qenë të informuar dhe i kanë paguar bizneset tona mallrat dhe i kanë pru deri në kufi dhe janë mbet aty. Direkt janë demtu bizneset kosovare dhe Qeveria është dasht me ba një vendim me paralajmërim duke informu bizneset kosovare paraprake”, ka thënë Haki Shatri ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave.

Nga e hëna mbrëma pikat kufitare, Bërnjak, Jarinjë e Merdarë janë raportuar si të bllokuara në Serbi si shkak i protestave që po zhvillohen atje.