Në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, Rusia nuk deshi të anëtarësohej në NATO, deklaroi sot Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, përcjellë Gazeta Blic.
Në emisionin e mbrëmjes të Stephen Colbert, ai tha se presidenti rus Vladimir Putin, me këmbëngulje ka thënë se ishte perëndimi ai, i cili pamundësoi anëtarësimin e Rusisë në Aleancë.
Blinken u ftua të fliste për marrëdhëniet ruso-amerikane, si dhe për të shpjeguar se pse Shtetet e Bashkuara besojnë se duke filluar luftën në Ukrainë, Putin arriti një efekt krejtësisht të kundërt nga ai që donte.
“Ai donte të parandalonte zgjerimin e NATO-s me Ukrainën, por tani NATO në fakt është zgjeruar me Finlandën dhe Suedinë”, tha Blinken, duke kujtuar se dy vendet nordike kanë parashtruar kërkesë zyrtare për anëtarësim në Aleancë, përcjellë Gazeta Blic.
Edhe pse Colbert i kujtoi deklaratën e kreut të Vatikanit, Papa Françeskut, se zgjerimi i NATO-s është edhe shkaku i konfliktit në Ukrainë, Blinken e mohoi këtë.
“NATO është një aleancë mbrojtëse. Ajo nuk ka qëllime agresive kundër Rusisë dhe nuk e ka sulmuar kurrë Rusinë. Aleanca as që ka ndërmend ta sulmojë atë”, tha ai.
Më pas Colbert deklaroi se do të ishte “çmenduri” tani që Rusia të anëtarësohej në NATO, me Blinkenin që ju përgjigj se për një anëtarësim të tillë është folur në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.
“Por rusët kishin vendosur që kjo nuk është ajo që duan”, shtoi Blinken, duke nxitur të qeshura në publik.
Megjithatë, kjo nuk është deklarata e parë e këtij lloji. Se Rusia në fakt kishte një mundësi për t’u anëtarësuar në NATO, për këtë kanë folur disa zyrtarë amerikanë deri me tani, duke përfshirë edhe ish-presidentin amerikan, Bill Clinton.
Këtë e përmendi edhe vetë presidenti rus, kur tha se i kujtohej se gjatë bisedimeve me Clintonin në vitin 2000 në Moskë, ai e pyeti liderin amerikan se çfarë do të ndodhte nëse Moska kërkon të anëtarësohet në NATO.
“Por reagimi ndaj pyetjes sime ishte shumë, shumë i përmbajtur”, kishte deklaruar atëbotë Putin.


