Lajme

Blinken për sanksionet e vendosura ndaj individëve nga Ballkani Perëndimor

04/11/2022 18:41
nga:Astrit Gashi

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka reaguar sot për sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, ish-presidentit të Serbisë dhe Malit të Zi, Svetozar Maroviq dhe pesë individëve tjerë nga Ballkani Perëndimor.

Blinken deklaroi se “Sekretariati për Financat ka ndërmarrë veprime për të përcaktuar aktorët në Ballkanin Perëndimor, të përfshirë në aktivitete destabilizuese dhe korruptive”.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët, si Mbretëria e Bashkuar mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të rajonit”, shkroi Blinken në Twitter.

Më herët, Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka shtuar në listën e sanksioneve shtatë persona nga Ballkani Perëndimor, përfshirë këtu dy shqiptarë.

Në listë janë shtuar ish-deputeti socialist i Shqipërisë, Aqif Rakipi, dhe biznesmeni nga Shqipëria, Ylli Ndroqi.

Po ashtu listës i është shtuar edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulim i Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijalkov, dhe ish-prokurorja në Bosnjë-Hercegovinë, Gordana Tadiq.

Po ashtu në listë janë përfshirë edhe Svetozar Maroviq dhe Arsim Saraliq.

“Ne i kemi ndërmarrë këto veprime në përgjigje të përfshirjes së këtyre ish-zyrtarëve në korrupsion të konsiderueshëm. Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe proceset publike në të dy vendet dhe gërryen besimin e publikut në qeveritë e tyre”, u shpreh në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.