Lajme

Blerta Deliu pas shkarkimit të bordit të RTK-së: Ditë e rëndë për demokracinë!

07/08/2021 13:52
nga:M K

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar pas shkarkimit të RTK-së.

Kuvendi shkarkon Bordin e RTK-së

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Deliu ka shkruar se sot është një ditë e rëndë për demokracinë, përcjell GazetaBlic.

Tutje, ajo ka thënë se shembullin e qeverisë Kurti nuk do ta gjejnë në asnjë shtet demokratik.

Më poshtë edhe postimi i plotë.

Sot është një ditë e rëndë për demokracinë dhe lirinë e shprehjes në Republikën e Kosovës. Sot, partia e Albin Kurtit, që e ka shumicën në Kuvend dhe me miratimin e heshtur të Vjosa Osmanit, mori vendim për shkarkimin e Bordit të Televizionit Publik në Kosovë.
Partia e Albin Kurtit, Vetëvendosja, luftën që e ka nisur prej vitesh kundër RTK-së, po e vazhdon duke shkarkuar një bord. Nuk po shkarkohet një bord i një ndërmarrje publike, por bordi i një mediumi.
Këtë shembull nuk do ta gjeni në asnjë shtet demokratik. Ky është një lajm i rëndë për një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ky vendim i Kuvendit do të mbetet njollë e pashlyeshme në historinë e një republike parlamentare.
Ajo çfarë po ndodh në Kuvendin e Kosovës mund të duket si në Bjellorusinë e diktatorit Aleksandër Lukashenko. Para dy muajsh, shteti i Lukashenkos, e ka devijuar rrugën e një aeroplani, me qëllimin e vetëm që ta rrëmbejë një gazetar. Ia ka arritur.
Sot, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani me partitë e tyre po sillen si të ishin në një shtet diktatorial. Po duan ta mbyllin gojën e çdo gazetari.
Dje kur e morën qeverinë e dërguan policinë në zyret e një mediumi vetëm për shkak të një artikulli të vërtetë se Ministri i Shëndetësisë nuk kishte nënshkruar kontratën për sigurimin e vaksinave anti-COVID-19, sot e shkarkuan bordin e një mediumi, e nesër kushedi se çka janë në gjendje të bëjnë.

/GazetaBlic/