Lajme

Blerta Deliu: Kurti sot dha dorëheqje…

07/13/2021 16:59
nga:M K

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka dhënë dorëheqje nga përgjegjësia e tij si shef i Ekzekutivit.

Deliu ka shkruar se është habitur me reagimin e Kurtit për situatën e krijuar në Deçan nga helmimi i qytetarëve.

“Albin Kurti po dorëhiqet nga detyrat që ia ka besuar qytetari i Kosovës. Jam e habitur me përgjigjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për situatën e krijuar në komunën e Deçanit. Sot Albin Kurti dha dorëheqje përballë përgjegjësisë së tij si kryeministër i qytetarëve të Kosovës. Ky është teksti i dorëheqjes së Albin Kurtit përballë përgjegjësisë si kujdestar i shëndetit të qytetarëve të shtetit që e drejton”, shkroi Deliu.

Ajo citoi Kurtin ku ai tha se s’mund të jetë pranë qytetarëve të Deçanit, duke thënë se nuk po e zhvillon ndonjë vizitë zyrtare, por po bredh kot nëpër ishujt grekë.

[“Në pamundësi për të qenë pranë jush, meqë jam në vizitë zyrtare jashtë vendit, kam komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse”.] Z. Kryeministër, ju nuk jeni në një vizitë zyrtare. Ajo ka mbaruar. Ju po bredhni kot nëpër ishujt grekë për broçkullat e anti-kolonializmit. Kthehuni me këmbë në tokë dhe merruni me detyrën që ua ka besuar qytetari i Republikës së Kosovës”, shkroi Deliu.