Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu ka reaguar pas deklaratave të deputetit Haki Abazi në lidhje me rastin Astrit Deharit.
Deliu thotë se zhdukja e mostrave të Astrit Deharit është zhdukje e të vërtetës për rastin tragjik të tij.
“Dy muaj pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nën pushtetin qeverisës të Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut, kuptojmë nga një deputet i shumicës parlamentare se krerët e institucioneve kanë dijeni për përmbajtjen e kamerave të sigurisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka shkruar Deliu në Facebook.
“I bëjë thirrje prokurorisë që të veproj në mënyrë të pavarur, me efikasitet dhe profesionalizëm për të hetuar dhe zbardhur këto pretendime, e mos të s’mbrapset as përballë presioneve e kërcënimeve që mund t’i marrë nga ky pushtet, bartësit e të cilit, derisa janë të gatshëm që t’i kërcënojnë publikisht prokurorët në sallat e gjyqit (siç ndodhi para disa ditësh), mund të bëjnë gjithçka jashtë tyre”.
Ajo ka kërkuar dorëheqjen e ministres Albulena Haxhiu për të garantuar një proces hetimor të pavarur.
“Dorëheqja ose shkarkimi i Ministres së Drejtësisë, është hapi i parë dhe i domosdoshëm për të mundësuar proces hetimor të pavarur e të besueshëm”, ka shkruar tutje Blerta Deliu.


