Lajme

Blerja e raketave “Javelin”/ Lekaj: Kjo punë është nisur me nënshkrimin e Ramush Haradinaj

01/17/2024 17:27
nga:Sh R

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë se blerja e raketave “Javelin”, është një lajm i rëndësishëm për shtetin e Kosovës dhe sigurinë në vend.

Lekaj në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se i jemi falenderues ndaj ShBA-ve dhe fuqive ndërkombëtare për blerjen e këtij armatimi.

“Blerja e raketave Javelin është lajm dhe momentum i rëndësishëm për shtetin e Kosovës dhe sigurinë e vendit. Ne si shtet jemi falënderues ndaj ShBA-ve dhe fuqive ndërkombëtare për mbështetjen e vazhdueshme, e specifikisht për blerjen e fundit të këtij armatimi”, tha Lekaj për Gazeta Blic.

Tutje, ai thotë se të gjithë ish-vendimarrësit e politikës, në forma të ndryshme kanë meritat e tyre.

“Të gjithë ish vendimarrësit e politikës dhe ata që janë aktiv në procesin e politikëbërjes, në forma të ndryshme kanë meritë për ndryshimet dhe benefitet shtetërore në fushën e sigurisë, ekonomisë, shëndetësisë, arsimit, etj”, u shpreh ai.

Deputeti thotë se ideja për blerjen e raketave “Javelin”, është bërë gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj, dhe se kjo punë është nisur me nënshkrimin e tij.

“Por, nëse ndalemi me saktësi tek tema mbi raketat “Javelin”, lirisht mund të themi që është ide dhe projekt i sigurisë i bërë në Qeverinë ku Kryeministër ishte z.Haradinaj, dhe kjo punë është nisur me nënshkrimin e tij”, shtoi Lekaj.

Lekaj thotë se AAK-ja do ta mbështes Qeverinë në çdo projekt që ka për qëllim forcimin e Kosovën.

“Sidoqoftë, lutemi që procesi të shkojë mirë deri në fund, dhe ne si opozitë do ta mbështesim Qeverinë për çfardo projekti dhe iniciative që ka për qëllim ta forcojë Kosovën me bazament në cilindo sektorë, për vitet e dekadat që na presin”, përfundoi Lekaj për Gazeta Blic.