Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla, e konsideron një lloj shantazhi dhe shkelje të Kushtetutës vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës që mjekët e profesorët që punojnë në institucionet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë.
Syla ka thënë se të njëjtën nuk e kërkojnë për këngëtarët dhe për ata që punojnë në sektorin privat.
“Nuk e shoh si hakmarrje por shkelje të Kushtetutës. Nëse duhet të deklarojnë pasurinë mjekët dhe profesorët, ku janë estrada këngëtarët e njerëzit që punojnë vetëm privat që nuk deklarojnë asgjë. Ky është një lloj shantazhi”, tha Syla.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua kërkesa e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, që mjekët e profesorët që punojnë në institucionet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë.
Kërkesa e Sallahut u miratua me shumicë votash nga kryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat të pranishëm në mbledhje.
“Është bërë një kategorizim i ri i zyrtarëve publikë që do të deklarojnë pasurinë. Në kategorinë e zyrtarëve publikë janë shtuar mjekët dhe profesorët në institucionet publike”, ka thënë Sallahu.
Projektligji me ndryshime për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave tani e pret miratimin edhe në Kuvend./E0/