Lajme

Blakaj: Deliq ka qenë dëshmitar i mbrojtjes në rastin e Millosheviqit

08/04/2022 18:30
nga:Astrit Gashi

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka thënë që Bozhidar Deliq, ka qenë dëshmitar i mbrojtjes në rastin kundër Slobodan Millosheviqit.

“Bozhidar Deliq, ka qenë dëshmitar i mbrojtjes në rastin kundër Millosheviqit, e pastaj edhe Shahinoviqit e të tjerëve”, ka thënë ai.

Tutje Blakaj në një intervistë në Klan Kosova ka treguar edhe për një rast që është spekuluar ndaj tij në Serbi.

“Është spekuluar shumë dhe ka pasë rast që është kritikuar në Serbi, sepse si duket ishte ftuar si dëshmitar i prokurorisë në rastin kundër Ramush Haradinajt, por që kishe refuzuar që të jetë dëshmitar në këtë proces gjyqësor, e nuk dihet se për çfarë arsye”.

“Brigada e tij ka qenë përgjegjëse në vrasjen masive ku së paku 42 persona ishin vrarë nga pjesëtarë të kësaj brigade, në fshatin Tërrne më 25 mars të vitit 1999. Prova direkte nuk është që ka pasë, por ka qenë e qartë edhe nga dëshmitë e dy dëshmitarëve të mbrojtur që kanë qenë pjesëtarë të këtij njësiti në procesin gjyqësor kundër Millosheviqit, është zbuluar se Deliç kishte dhënë urdhër që pjesëtarë të kësaj brigade ta granatojnë fshatin dhe pastaj të futen në të”, tha Blakaj.