Lajme

BKS-ja kërkon nga i padituri rimbursimin e dëmit të vlerë 1 mijë 439 euro për aksidentin e vitit 2013

08/17/2022 16:16
nga:G B

Në seancën e së mërkurës, përfaqësuesi i paditëses Byroja Kosovare e Sigurimit, kërkoi nga gjykata që të obligohet i padituri S.G. t’ia paguaj regresin dhe atë në shumë prej 1, 439 euro, për aksidentin e ndodhur në vitin 2013.

Këtë deklarim e tha përfaqësuesi i paditëses Drilon Imeri, në fjalën përfundimtare të tij, pasi që shqyrtimi gjyqësor u mbajt në mungesë së të paditurit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, gjykata konstatoi mungesën e të paditurit Samir Gara, edhe pse i njëjti ishte ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo mungesën nuk e kishte arsyetuar.

E që pas kësaj, përfaqësuesi i paditëses Imeri propozoi që seanca e sotme të mbahej në mungesë së të paditurit.

Tutje, gjyqtarja e rastit, Arfërdita Mulhaxha, e aprovoi propozimin e përfaqësuesit Imeri, duke vazhduar me procedurën e provave.

Më pas, në fjalën përfundimtare përfaqësuesi i paditëses deklaroi se në lidhje me aksidentin e datës 15.11.2013, shkaktar i të cilit ishte S.G., e që sipas tij, kjo ishte vërtetuar me aktvendim kundërvajtës, si dhe pas kërkesës së të dëmtuarit në BKS, ai tha që paditësi ka kompensuar këtë të fundit në vlerë prej 1,439 euro.

Tutje, Imeri shtoi se në bazë të ligjit për autopërgjegjësinë, paditësja ka të drejtë regresi nga pala e paditur, e që me këtë kërkoi nga gjykata  që të obligohet i padituri që në emër të rimbursimit t’ia paguaj paditëses shumën e cekur, me kamatë ligjore si dhe shpenzimet e procedurës.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar me 11 korrik 2019, nga paditësja Byroja Kosovare e Sigurimit, kundër të paditurit Samir Gara, me të cilën po kërkon rimbursimin e dëmit në vlerë prej 1,439 euro.

Sipas padisë, i padituri me datën 15.11.2013, rreth orës 17:00 në fshatin Prilep, ka shkaktuar aksident trafiku me automjetin “Renault B/C 57”.

Deri te aksidenti ka ardhur kur automjeti “A” të cilin e drejtonte S.G, i cili nga pakujdesia i shkakton dëme të dëmtuarit O.C.

Nga padia thuhet se automjeti i cili ishte shkaktar i këtij aksidenti në momentin e shkaktimit të tij ka qenë pa mbulesë siguruese, respektivisht me afat të skaduar të policës të sigurimit, e që nga vendimi i Gjykatës, paditësja i ka kompensuar dëmin të dëmtuarit në lartësi prej 1,439 euro, e që të njëjtat tani kërkon ti rimbursohen nga i padituri.