Lajme

Bjellorusia thotë se stërvitjet ushtarake nuk paraqesin kërcënim për fqinjët

05/04/2022 08:44
nga:G B

Forcat e armatosura të Bjellorusisë kanë nisur stërvitjet e shkallës së gjerë më 4 maj, për të testuar gatishmërinë e tyre ushtarake, tha Ministria e Mbrojtjes.

“Është planifikuar që në testimet [për gatishmërinë luftarake] të përfshihen një numër i rëndësishëm i makinave ushtarake, gjë që do të shkaktojnë ngadalësim të trafikut në rrugët publike”, tha ministria bjelloruse përmes një deklarate.

Pavarësisht se këto stërvitje po mbahen në kohën kur po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës, Bjellorusia tha se këto stërvitje nuk paraqesin kërcënim për fqinjët e saj e as për komunitetin evropian në përgjithësi.

Bjellorusia, që është në kufi me Ukrainën, është aleate e afërt e Rusisë. Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, thotë se në Ukrainë po kryen “operacion të posaçëm ushtarak”.

Zonat e Ukrainës, që janë në afërsi të Bjellorusisë, përfshirë edhe kryeqytetin, Kiev, u sulmuan nga Rusia në fazën e parë të pushtimit, pas stërvitjeve të përbashkëta që zhvilluan Moska dhe Minsku.

Tani, megjithatë, Rusia ka përqendruar sulmet e saj në rajonet lindore dhe juglindore të Ukrainës.