Lajme

Bjellorusët kanë frikë: A po i shtyn Rusia drejt luftës?

04/26/2023 18:52
nga:Astrit Gashi

Ka një frikë në rritje në Bjellorusi se Moska po shtyn aleatin e saj të ngushtë që të përfshihet drejtpërdrejt në luftimet në Ukrainë, raporton AP, përcjellë GazetaBlic.

“Forcat ruse janë tashmë në Bjellorusi, unë shoh që vendi po kthehet ngadalë në një kazermë,” tha për AP Ruslan, një inxhinier i cili kohët e fundit mori një ftesë për trajnim ushtarak në kryeqytetin Minsk. Ai nuk ka dashur të japë mbiemrin sepse është i shqetësuar për sigurinë e tij.

Bjellorusët kanë frikë se Moska nuk do t’i lejojë ata ta shikojnë luftën nga larg për një kohë të gjatë, sipas AP. Le të kujtojmë, diktatori bjellorus, Aleksandër Lukashenko, u mbështet tek Kremlini për përkrahje politike dhe ekonomike për muaj të tërë, ndërsa vendi u trondit nga protesta masive për zgjedhjet e manipuluara.

Një njësi e mbrojtjes ajrore u krijua kohët e fundit në Minsk, e cila përfshin forcat raketore ruse. Në fillim të këtij muaji, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi rojet kufitare në rajonin veriperëndimor të Volyn, i cili kufizohet me Bjellorusinë. Me atë rast, ai tha se Ukraina “duhet të jetë e gatshme” për një pushtim të mundshëm nga Bjellorusia.