Lajme

Bizneset kërkojnë shtyrjen e kërkesës së ZRRE-së për treg të hapur energjetik

03/17/2025 12:14
nga:G B

Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar që të shtyhet kërkesa e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që konsumatorët me mbi 50 punëtorë ose që kanë një qarkullim mbi 10 milionë euro të dalin në një treg të hapur energjetik.

Kryetari i OEK, Lulzim Rafuna ka thënë se pas një takimi me bizneset, është theksuar dëmi që mund t’i shkaktohet të njëjtave në rast se nuk shtyhet vendimi, kjo për shkak se ato momentalisht nuk janë të përgatitura për të kaluar në treg të lirë.

Ndërsa, prezent në këtë takim ai ka thënë se ishte edhe kryetari i bordit të ZRrE-së, Imer Fejzullahi.

“Është një shqetësim pasi sipas vendimit parashihet që bizneset me qarkullim mbi 1 milionë euro të dalin në tregun e hapur. Dalja në treg do të këtë efekt zinxhiror në produktin që pastaj i bartet konsumatorit. Gjatë takimit me ZRRE propozuam që ky vendim të shtyhet të paktën një vit,  sidomos për bizneset prodhuese. Sipas vendimit parashihet që në tregun e hapur të dalin 1984 biznese. Kërkesa jonë është që të  shtyhet së paku një vit pasi bizneset janë përballur me sfida të shumta”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se nuk janë kundër vendimit, por koha është shumë e shkurtër.

“Nuk ka pasur kohë që biznesi të përgatitet. Kërkesa tjetër që vjen për partite politike është sa më shpejt të kemi të themeluara institucionet e vendit, në mënyrë që të kemi kujt me iu adresua”, ka thënë Rafuna në konferencë për media.