Lajme

Bislimi: Vendimi i kushtetueses serbe për Demirin, legjitimon praktikën sistematike diskriminuese ndaj shqiptarëve

11/20/2024 17:41
nga:Sh R

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për Safet Demirin legjitimon praktikën sistematike diskriminuese të pasivizimit të adresave që ka për cak shqiptarët. Ai vendim cenon të drejtat themelore të njeriut, dëshmon pse shqiptarët nuk i besojnë sistemit dhe ngurrojnë të nisin proceset gjyqësore”.

Kështu është shprehur Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në Serbi e cila ia refuzoi ankesën biznesmenit Safet Demiri për kthimin e adresës në Serbi.

Bislimi publikoi edhe disa citate nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, duke thënë se ato “janë shembulli i përsosur se si gërryhen të drejtat e shqiptarëve, përmes interpretimeve të padrejta dhe diskriminuese, të cilat dëshmojnë mungesën e demokracisë, të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtave të pakicave në Serbi”.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, njoftoi gjatë ditës së sotme se qytetarit Safet Demiri nga Medvegja i është refuzuar ankesa për kthimin e adresës nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Serbi.

“Organi më i lartë i drejtësisë në Serbi po legjitimon spastrimin etnik dhe pasivizimin diskrimues të shqiptarëve të Luginës”, shkroi ajo, teksa vendimin e quajti “antikushtetues” dhe tha se “Gjykata Kushtetuese në Serbi po punon në dekurajimin e shqiptarëve për drejtësi dhe barazi”.

“Safet Demiri është shembulli më i mirë i diskriminimit që po ua bënë shqiptarëve Serbia, e në të njëjtën kohë edhe shembull se si nuk duhet të dorëzohemi. Andaj, kur Serbia, nëpërmjet organit të saj më të lartë të drejtësisë po vazhdon avazin e vjetër, shqiptarëve të Luginës u mbetet që drejtësinë ta kërkojnë në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë. Nga atje do ta mundim diskriminimin e Serbisë dhe po atje do të vendosim drejtësinë”, potencoi Sinani.