Lajme

Bislimi takon ministrin për BE të Polonisë, flasin për progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së

11/22/2024 18:03
nga:Sh R

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është pritur në Varshavë nga ministri për Bashkimin Evropian të Polonisë, Adam Szłapka.

Zyra e Kryeministrin njofton se fillimisht, Bislimi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Polonisë ndaj Kosovës dhe veçanërisht procesit integrues të vendit tonë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.

Bislimi në këtë takim ka theksuar edhe qëllimin e Kosovës për avancim tutje në rrugëtimin e procesit integrues si dhe vlerësimin e merituar të aplikimit për anëtarësim në BE, përmes marrjes së pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se mirëpret Presidencën e ardhshme të Polonisë të Këshillit të BE-së, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe fuqizim të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet tutje në komunikatë.