Lajme

Bislimi takohet me Zëvendës Drejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li

12/06/2024 10:31
nga:N K

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u takua me Zëvendës Drejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li.

Gjatë këtij takimi, z. Bo Li përgëzoi Qeverinë e Kosovës për punën e saj të mirë në fushën e zhvillimit ekonomik, duke theksuar rritjen e qëndrueshme ekonomike, menaxhimin e mirë fiskal dhe implementimin e reformave strukturore, përcjell GazetaBlic.

Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FMN-së dhe Kosovës, si dhe përgëzoi Qeverinë për suksesin në zbatimin e programeve Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF).

Sipas komunikatës për media, Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi z. Bo Li mbi zhvillimet më të fundit në vend, duke theksuar se trendët e mira ekonomike nga vitet e mëparshme, kanë vazhduar edhe këtë vit. Ndër të tjera, ai përmendi rritjen e eksporteve, atë të investimeve të huaja direkte, dhe uljen e inflacionit.

Ai po ashtu theksoi se të hyrat dhe shpenzimet buxhetore janë rritur në masë të konsiderueshme, ndërsa është forcuar tutje qëndrueshmëria fiskale.

Në përfundim, palët diskutuan për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe angazhimin e përbashkët për zbatimin e programeve dhe projekteve të ardhshme.