Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha, pas ndërprerjes së vizitës së tij në Serbi, se shteti fqinj është i dobët dhe se ende s’është i gatshëm të punojë për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës.
Ai bëri me dije se ndalesa e rrugëtimit të tij për Beograd ka ndodhur 85 kilometra pa arritur në vendin e konferencës.
“Arsyeja është krejt diku drejt. Ne kemi pasur për qëllim që Beogradit dhe qytetarëve atje t’u japim versionin e Kosovës mbi zhvillimet që janë në Kosovë dhe drejt normalizimit të situatës. Qytetarët atje janë ekspozuar nga një propagandë shumë e tmerrshme nga Qeveria e Serbisë dhe, si duket, ka pasur një rezistencë të madhe që të mos e japim versionin tonë”, tha Bislimi pas kthimit në Kosovë, raporton RTKlive.
Bislimi ka dhënë detaje se si i është kumtuar lajmi se nuk mund të marrë pjesë në konferencën dyditore në Serbi për shkak se, gjoja, mund të cenohet siguria e tij.
“Një veturë e policisë i është bashkuar konvojit, dhe i ka kërkuar konvojit që të vendoset në një pushimore në atë rrugë, dhe i është komunikuar zyrës ndërlidhëse që duhet të kthehemi për shkak të sigurisë. Serbia nuk ka dashur që Kosova të prezantohet në një forum të Sigurisë në Beograd”, tha ai. Bislimi tha se nuk mund të spekulojë se kjo ndalesë mund të ketë ndërlidhje rreth vendimit të Kosovës për targat ilegale që përdoren në veri të Kosovës.


