Lajme

Bislimi pret një delegacion të Bankës Botërore, i thotë se Kosova në ekonomi performoi më mirë se vendet e rajonit

11/14/2024 15:47
nga:Sh R

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi mirëpriti një delegacion të Bankës Botërore i cili udhëhiqej nga Drejtori Rajonal për Europën dhe Azinë Qendrore, Asad Alam.

ZKM tha se në këtë takim fokus i bisedës ishte skanimi i situatës në vend rreth masës së zhvillimit dhe progresit të Kosovës.

“Që në fillim të takimit, z. Alam vlerësoi pozitivisht performancën ekonomike të Kosovës, duke veçuar rritjen ekonomike që ka njohur vendi në vitet e fundit”.

Ndërkaq, ZKM tha se Bislimi tha se “Kosova ka dëshmuar progresin e saj përmes indikatorëve pozitivë makroekonomikë, përtej pengesave dhe barrierave me të cilat jemi përballur, duke qenë në gjendje të performojë edhe më mirë se vendet e rajonit”.

Ai shtoi se potenciali ekzistues për rritje të mëtejshme ekonomike, të investimeve dhe rritjes së sektorëve premtues siç është ai i teknologjisë, mund të ndikojnë edhe më shumë në rritjen e prodhimtarisë, zhvillimit të ekonomisë dhe avancimit të vendit.

“Zëvendëskryeministri Bislimi veçoi edhe rritjen e punësimit, e cila ka prekur më së shumti edhe të rinjtë dhe gratë, ndërsa jemi përkujdesur që rritja ekonomike të jetë e shpërndarë tek të gjithë qytetarët, duke prezantuar për herë të parë ndër të tjera dhe programe si shtesa për fëmijët dhe nënat lehona. Ai tha se e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është premtuese dhe po vijojmë angazhimin e përditshëm në avancimin drejt kësaj trajektoreje”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Zëvendëskryeministri e falënderoi ekipin e Bankës Botërore dhe institucionin për përkrahjen dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj Kosovës, si dhe për bashkëpunimin “përherë e më të frytshëm dhe produktiv”.