Lajme

Bislimi përplaset me deputeten e AAK-së: Radoiçiqi qëndronte vazhdimisht në zyrën e Ramush Haradinajt kur ishte kryeministër

01/26/2024 11:31
nga:Sh R

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane ka pasur një përplasje me deputeten e AAK-së, Time Kadriaj.

Kadriaj e akuzoi Bislimin dhe Vetëvendosjen për koordinim me Milan Radoiçiqin në kohën kur ai ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.

“Momenti që ka qenë i kërkuar prej organeve të drejtësisë, i sanksionuar nga SHBA- ju keni pasur një koordinim fantastik e të hatashëm. E keni ba kumbarë, ju nuk keni të drejtë me folë me Radoiçiqin”, tha Kadriaj në Komision.

E Bislimi ia ktheu, se gjatë kohës sa Ramush Haradinaj ishte kryeministër, Radoiçiqi qëndronte vazhdimisht në zyrën e tij, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Si rezultatet i këtij koordinimi që e kemi pasur ne me Radoiçiqin, ai tash qëndron në Kopaonik dhe i rrezikuar nga institucionet ndërkombëtare dhe si rezultat i moskoordinimit dhe qasjes suaj ai ka qëndruar vazhdimisht në zyrën e kryeministrit Haradinaj”,u shpreh Bisilimi

Në këtë debat u përfshi edhe deputeti i VV-së, Agon Batusha i cili tha se sa Ramush Haradinaj ishte kryeministër “Radoiçiqi sillej me armë nëpër Gjakovë, e tani është maleve”.

“Radoiçiqi sa u kanë Ramushi kryeministër në Gjakovë u ardhë, u sjellë me armë e tash është maleve. Kam video të Radoiçiqit nëpër Gjakovë”, tha Batusha.