Lajme

Bislimi: Përdorimi i dinarit në Kosovë s’ka qenë i lejuar asnjëherë më parë

01/18/2024 17:18
nga:G B

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se nuk kishte asnjë mënyrë për të anuluar përdorimin e dinarit, diçka që sipas tij, nuk është lejuar asnjëherë më parë.

“Rrjedhimisht nё Rregulloren e sipёrpёrmendur, nuk ka pasur se si tё anulohet pёrdorimi i dinarit, pra diçkaje qё nuk ka qenё e lejuar asnjёherё mё parё. Pёr mё tepёr, as dinari e as monedhat e asnjё shteti tjetёr fqinj nuk janё pёrmendur fare nё tekstin prej 40 faqesh tё kёsaj rregulloreje”, ka shkruar ai në Facebook.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.

Sipas rregullores, valutat jo-euro mund të përdoren vetëm për ruajtjen “në formë fizike apo në llogaritë bankare”, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare dhe për këmbim.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Bislimi ka bërë të ditur në një postim në Facebook se rregullorja e BQK-së nuk specifikon asnjë mjet pagese veçmas, përveçse përmend disa pikë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në Kushtetutë, thuhet se në Kosovë përdoret një valutë e vetme si mjet i vlefshëm pagese dhe se Banka Qendrore e Kosovës është autoritet i pavarur bankar.

Bislimi ka shtuar se në rregullore nuk ka një specifikim se si mund të anulohet përdorimi i dinarit, duke theksuar se as dinari dhe as monedhat e vendeve fqinje nuk janë përmendur në tekstin e rregullores.

“Çfarëdo interpretimi tjetёr ёshtё i pasaktё dhe synon manipulimin e opinionit publik. Duke qenё Autoriteti i vetёm me funksion dizajnimin, zbatimin dhe mbikёqyrjen e politikave monetare nё vend, Banka Qendrore ka pёr detyrё edhe draftimin e rregullave tё lojёs pёr tё gjithё ato subjekte, financiare apo jofinanciare, persona fizik apo juridik, nё operimet e tyre me valuta, si vendore apo tё huaja”, ka shkruar tutje ai.

Siç ka shkruar më tej Bislimi, përcaktimi i valutës e cila lejohet të përdoret në të gjitha transaksionet bankare dhe jo bankare, që në rastin e Kosovës është vetëm valuta EURO.

Dhe sipas tij, secili nga qytetarët e Republikës së Kosovës që ka vepruar në kundërshtim me këtë, në vazhdimësi ka qenë në anën e shkelësit të ligjit.