Lajme

Bislimi për transferimin e parave për Luginën e Preshevës: Lajçak është angazhuar direkt

11/19/2021 18:32
nga:M K

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka folur për temat që janë diskutuar në Bruksel mes tij dhe Emisarit të BE-së, Miroslav Lajcak përfshirë, temën e transferimit të mjeteve financiare të qeverisë së Kosovës për Luginën e Prishtinës, transmeton Gazeta Express.

Ai tha se ka pasur progres dhe për këtë çështje Lajcak ka angazhuar këshilltarin e tij në Beograd për ta zgjidhur këtë.

“Tek pjesa e transfereve për Komunën e Preshevës, kemi pasur një bisedë me zonjën Ardita Sinani dhe z. Lajçak ku ajo na ka informuar për pengesat që po i dalin, ndërkaq Lajçak ka angazhuar këshilltarin e tij në Beograd që me urgjencë të gjej zgjidhjen për këtë punë. Me sa kam kuptuar unë, dje Thesari ynë e ka bërë transferimin e mjeteve dhe të shohin se a do të mbërrijnë ato deri në destinacion. Po ashtu kemi marrë pëlqimin që këshilltari i tij z.Panduri të angazhohet për hapjen e një llogarie permanente ku Kosova do të mund të transferonte mjete sa herë ka nevojë për të ndihmuar Luginën e Preshevës”, shpjegoi Bislimi.

Ai ka theksuar se mungesa e takimeve trepalëshe e zbeh suksesin e negociatave, por vlerëson se ka pasur progres në takimet që janë bërë gjatë tri ditëve në Bruksel.

“Mungesa e takimeve trepalëshe e zbeh pak suksesin e negociatave, sepse aty është shumë më lehtë të konkretizohet diçka për hapat e mëtejmë. Megjithatë në të gjitha temat mendoj që ka progres”, tha kryenegociatori Bislimi në intervistë për Telegrafin.

Tutje, ai shtoi se sa i përket temës së energjisë janë në rrugë të mirë që më në fund edhe konsumin e energjisë në veri të vendit siç tha ai “do ta vendosim në binarët e sistemit tonë energjetik në tërësi”.

“Jemi dakorduar me BE-në që t’ju dorëzojmë atyre një plan konkret me hapat që duhet të ndërmarrim në tre muajt e ardhshëm, kemi bërë këtë që ditën e nesërme. Kemi dorëzuar z. Lajçak një propozim të masave konkrete që nënkuptojmë edhe veprimet që duhet të ndërmarrin nga vet Bashkimi Evropian për akomodimin e pikës 13 që nënkupton obligimet e BE-së dhe mendoj që ky propozim është pritur jashtëzakonisht mirë nga zyra e tij”, tha Bislimi.

Ndërkaq, për temën e të pagjeturve tha se kanë pasur kërkesa konkrete.

“Po ashtu tek çështja e personave të pagjetur po ashtu kemi kërkesa konkrete të ekipit i cili edhe pas takimit ka pasur takime të ndara me ekipet e ekspertëve të z.Lajçak, takime që kanë zgjatur disa orë dhe ku është shikuar mundësia e konkretizimit të zhvillimeve në terren”, ka potencuar në emisionin “Përballje” zëvendëskryeministri Bislimi.

Ai deklaroi se kanë pasur kërkesa edhe sa i përket përdorimit të fusnotës.

“Tek çështja e përfaqësimit regjional kemi një problem që puna e fusnotës po interpretohet ndryshe në secilën instancë dhe nga secili mekanizëm prezent, mendoj që kjo është pak edhe për faktin që BE-ja si lehtësues i marrëveshjes nuk ka dalë me një udhëzues për standardizimin e mënyrës së përdorimit të saj”, tha Bislimi.

Ai theksoi se kanë insistuar që të ndodh standardizimi i përdorimit të fusnotës.

“Ne kemi insistuar që kjo të ndodh. Për secilin paragraf ne kemi nxjerr interpretimin tonë dhe kemi kërkuar që BE-ja të tregojë a pajtohet me këtë interpretim. Kjo do të bëhet në formë të shkruar dhe në momentin që e kemi një dakordim për interpretim të njëjtë atëherë do të shpërndajmë këtë në të gjitha instancat në mënyrë që të standardizohet përdorimi i fusnotës:, tha Bislimi.