Lajme

Bislimi për takimin e sotëm në Bruksel: Beogradi nuk ishte aspak konstruktiv, deshi të ndryshojë agjendën e bisedave

05/13/2022 20:34
nga:Arsim Buxhovi

Shefi i ekipit negociator, Besnik Bislimi, ka akuzuar palën serbe se nuk ka treguar konstruktivitet, gjatë takimit që u zhvillua sot në Bruksel.

Ai pas takimit tha para gazetarëve se sot është dashur të diskutohet për targat dhe për energji, por pala serbe nuk ka paraqitur zgjidhje apo propozime konkrete.

Bislimi po ashtu ka pohuar se delegacioni serb ka ardhur në Bruksel vetëm me qëllim që t’i dërgojë sinjale komunitetit ndërkombëtar se Beogradi është i gatshëm për bisedime.

I pyetur nga gazetarët se a ndërlidhet këto sjellje të Serbisë me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Bislimi tha se këto janë dy procese të ndara.

Ai akuzoi Beogradin se nuk po e respekton marrëveshjen e Brukselit, duke bllokuar anëtarësimin e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare.

I pyetur se a është biseduar me Lajçakun për aplikimin e Prishtinës për në Këshillin e Evropës, Bislimi tha se kjo çështje nuk është pjesë e dialogut dhe se Lajçak është ndërmjetësues në dialog.

Ai pohoi se kjo ishte mundësia e fundit që Beogradi të tregohej konstruktiv dhe se përderisa vetëm Prishtina është konstruktive, nuk ka arsye për takime të reja.

“Ne nuk kemi ardhur këtu për të biseduar, por për të arritur një marrëveshje. Dhe Petkoviq ende nuk e ka kuptuar këtë,” tha Bislimi.

Ai ka shtuar se Serbia ka tentuar që çështjen e Asociacionit të Komunave ta vendosë në rend dite, por se pala kosovare nuk ka mundur ta pranojë këtë, sepse agjenda është përcaktuar paraprakisht.