Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka sqaruar nenin 7 të propozimi të BE-së ku thuhet se “të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.
Sipas Bislimit, vetë-menaxhimi është një nga termet që ka liri të madhe të interpretohet.
Ai shtoi se kjo do të konkretizohet në aneks, pasi sipas tij, “komunat në Kosova kanë një nivel bukur të lartë të vetë-menaxhimit, sidomos komunat me shumicë serbe”.
“Sipas planit të Ahtisarit, Kosova ka pranuar që të jetë në pjesën e listës të shteteve evropiane që kanë lejuar decentralizim asimetrik. Kjo do të thotë se komunave të caktuara i delegohen më shumë përgjegjësi nga niveli qendror sesa komunave standarde. Psh Komuna e Graçanicës dhe e Mitrovicës Veriore kanë pasur kompetenca të zgjeruara përtej kompetencave që ka Komuna e Prishtinës apo Ferizajt, në ofrimin e disa shërbimeve publike siç është arsimi terciar, arsimi i lart, shëndetësia terciare ose në fushën e sigurisë policisë”, tha ai në RTK.
Për Bislimin, të drejtat e minoriteteve përbëjnë një prej pikave të forta të Qeverisë së Kosovës
Ndërkohë, sa i përket të njëjtit nen ku thuhet se “palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, Bislimi u shpreh se për këtë “duhet ta pyesni ekipin e Olaf Scholzit dhe Emmanuel Macron”, pasi theksoi se ata e kanë dizajnuar propozimin e BE-së.
Megjithatë, Bislimi u shpreh se statusi i kishës ortodokse serbe është pjesë e planit të Marti Ahtisarit.
“Pse është në atë nen duhet me pyet ekipin e zotit Scholz dhe zotit Macron sepse ata e dizajnuar propozimin, ka mund të jetë nen i veçantë Sepse statusi i kishës ortodokse është pjesë e planit të Ahtisarit dhe mendoj që në këmbim të atyre privilegjeve që merr Kosova sic është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, dakordimi që telashet të zgjidhet në mënyrë paqësore, BE-ja do të sheh një përkushtim të Kosovës në mbrojtje të të drejtave të minoriteteve, edhe në trashëgimi kulturore. Kosova ka ligje që e rregullojnë liritë religjioze dhe këto duhet të formalizohen në një dokument dhe kjo nuk përbën kurrfarë rreziku por as kurrfarë të drejtash shtesë për një komunitet të caktuar religjioz”, theksoi Bislimi.


