Lajme

Bislimi për masat e BE-së: Janë të padrejta dhe duhet të hiqen sa më parë!

03/26/2024 14:43
nga:Y I

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, priti në takim eurodeputetët nga Parlamenti Evropian, Thijs Reuten dhe Ladislav Ilcic.

Gjatë takimit, u bisedua mbi rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ku zëvendëskryeministri përmendi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe nevojën për ecjen tutje në këtë proces, angazhimin e vendit sa i përket Planit të Rritjes dhe punës për reformat indikative, por edhe performancën e vendit përmes indikatorëve ekonomikë, raporton Gazeta Blic.

Në takim u adresuan edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës ku zëvendëskryeministri ritheksoi se ato janë të padrejta dhe duhet të hiqen sa më parë.

“U ngritën dhe çështje që ndërlidhen me fusha si energjia, shëndetësia, arsimi. U adresuan dhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ku zëvendëskryeministri ritheksoi se ato janë të padrejta dhe duhet të hiqen sa më parë” thuhet në njoftim.

Nga ana e tyre, eurodeputetët Reuten dhe Ilcic nënvizuan se Parlamenti Evropian e mbështet Republikën e Kosovës në objektivin e qëllimin e saj në rrugëtimin integrues drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar dhe mirënjohjen për qëndrimin parimor e mbështetjen ndaj qasjes evropiane kundrejt agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë.