Lajme

Bislimi pas miratimit të raportit për KiE: Lajm i mirë për demokracinë e vlerat evropiane

03/27/2024 18:41
nga:G B

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka quajtur hap pozitiv që Kosova ka kaluar votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Siç ka theksuar Bislimi, ky është lajm i mirë për vendin, demokracinë dhe vlerat evropiane.

“Komisioni i Çështjeve rekomandoi që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtar. Ky është një hap i rëndësishëm. Anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës do të ishte një lajm i mirë për ne, për demokracinë dhe vlerat evropiane”, ka shkruar Bislimi në platformën X.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Raporti është votuar me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Këtë e ka konfirmuar zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, i cili ka theksuar se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta.