Lajme

Bislimi pas deklaratës së Hotit: Kam luftuar i vetëm për të ruajtur rrugën e Rugovës brenda LDK-së që nga pranvera e 2022

03/18/2025 17:19
nga:Genita C

Faton Bislimi, në përgjigje të deklaratës së Avdullah Hotit për nevojën e lidershipit të ri në LDK pas rezultatit të dobët zgjedhor, theksoi se Kosova duhet të mbetet në fokus të çdo përpjekjeje politike.

Ai për GazetaBlic ritheksoi se parimi i “unitetit në dallime” është më i nevojshëm se kurrë, duke theksuar rëndësinë e angazhimit për konsolidimin e Kosovës si shtet sovran, brenda interesave të aleatëve ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-ve.

Bislimi kritikoi devijimet nga rruga e Presidentit Rugova dhe theksoi se LDK duhet të rikthehet tek vlerat e saj autentike dhe të forcojë kohezionin e brendshëm.

Ai u shpreh i bindur se një LDK e bashkuar do të jetë e dobishme për Kosovën.

Përgjigja e plotë dhënë për GazetaBlic:

Para së gjithash, Kosova!

Gjatë gjithë angazhimit tim politik në përgjithësi, dhe në e për LDK-në në veçanti, sllogani im ka qenë “unitet në dallime.” Vlerësoj se edhe sot, kjo është formula që i duhet një subjekti politik dhe tutje edhe krejt skenës politike të Kosovës. Ne sot fokusin do duhej ta kishim tek interesi shtetëror dhe kombëtar i Kosovës, para se gjithash.

Nuk e kemi as komoditetin e as mundësinë realisht që të angazhohemi në përpjekje tjera jashtë interesit të Republikës sonë të re. Dinamika e zhvillimeve gjeopolitike globale është e paprecedentë. Është kohë e vorbullës së madhe të një rendi të ri global në përballje me normat ekzistuese.

Është imperativ i kohës, vlerësoj, që ne bashkërisht të bëjmë krejt çka mundemi për t’u siguruar që Kosova vazhdon trajktoren e vet të konsolidimit dhe zhvillimit si shtet sovran e demokratik brenda orbitës së interesave gjeostrategjike të aleatëve tanë, e veçanërisht SHBA-ve.

Dallimet e brendëshme politike duhet të jenë sekondare karshi sfidave që ka përpara shteti ynë. Kjo nuk nënkupton se duhet menjanuar përgjegjësia politike dikujt. Por, thjeshtë, është parimore dhe politikisht e domosdoshme që përtej krejt interesave tjera, ta vendosim interesin e Kosovës.

Edhe LDK ka një vend të pazëvendësueshëm në historinë moderne të Kosovës. Është GOP (Grand Old Party) e Kosovës; është rruga e suksesit drejt ndërkombëtarizimit të çështjes sonë që më pastaj ndihmoi në arritjen e lirisë dhe pavarësisë. Përkundër rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit që la LDK larg nga pritjet e proklamuara nga lidershipi i saj, LDK-së i duhet ajo që unë e kam thënë gjithënjë — Unitet në Dallime!

Fundja, ju rikujtoj se unë për parime dhe i bindur që LDK po devijonte nga rruga e trasuar nga Presidenti Historik Dr. Rugova, isha i vetëm në betejën time për të ruajtur boshtin politik të saj, qysh nga pranvera 2022. Andaj, me shumë se reagimet post-factum, sot LDK-së i duhet kohezion i brendshëm, reflektim, dhe rikthim në boshtin e vet politik. Kjo është e mundëshme, dhe një LDK e vlerave autentike, për të cilën unë kam luftuar pa asnjë hezitim qoftë edhe i vetëm, i ndihmon vet Kosovës.

Prandaj, le t’i kthehemi idealeve kombëtare e vlerave autentike të veprimit politik rugovist, ku para së gjithash, ka qenë dhe do jetë Kosova!