Lajme

Bislimi: Njohja nga pesëshja e BE-së “hyrje” në normalizim me Serbinë, jo “dalje”

12/22/2023 21:23
nga:Sh R

Zëvendëskryeministri i vendit dhe kryenegociatori në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi po kërkon që procesi i normalizimit të marrëdhënieve mos të ndërlidhet me njohjen nga pesë vendet mosnjohëse, anise të kundërten, e kanë thënë vazhdimisht ndërmjetësuesit e dialogut.

Në një intervistë për mediumin “EuroActiv”, Bislimi duket se në rolin e kryenegociatorit, ka dalë me një ide të re. Kryenegociatori po thotë njohja nga pesëshja duhet të jetë hyrja në normalizim me Serbinë, e jo dalja.

Sipas tij, Serbia nuk do të ishte konstruktive në dialog, nëse do të dinte se ka një kosto të tillë.

“Nëse mbahet progresi me jo-njohësit si rezultat i procesit, përparimi bëhet i pamundur dhe do të ishte joracionale që Serbia të jetë konstruktive në dialog nëse e dinë se do të ketë një kosto të lartë për ta”, ka deklaruar ai.

Bislimi ka vijuar me arsyetimin e tij:

“Nëse Serbia njeh pasaportat e Kosovës, Spanja nuk mund të thotë jo, ne nuk duam t’i njohim pasaportat e Kosovës. Nëse Serbia thotë, unë do të nënshkruaj një marrëveshje ku Kosova dhe Serbia e shohin veten si dy palë të barabarta, Sllovakia nuk mund të thotë jo”.