Lajme

Bislimi: Në takimet në Bruksel ka presion të madh, flokët të thinjen më shpejt

08/06/2022 00:05
nga:Arsim Buxhovi

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi, ka thënë se një bisedë në Bruksel, i shkakton tensione sa një javë pune në Kosovë.

Bislimi në televizionin publik ka thënë se në këto takime, ka presion më të madh, dhe se “flokët të thinjen më shpejt”.

“Në qoftë se është rëndë, kjo nuk duhet të përkthehet në gatishmëri me leshu pej, rëndë është që ke presion më të madh, të thinjen flokët pak më shpejt, duhet me shku pak në qetësim pas dialogut. Nuk ka bisedë në Bruksel, që mua nuk më shkakton tension sesa një javë punë në Kosovë, sepse duhet të kujdesemi në maksimum edhe për presjet edhe pikat. Kam një frikë se ka filluar të ndryshojë personalitetin sepse kur jam me miq kujdesem edhe për pikat e presjet, ata më thonë nuk je me Lajcakun, je me neve”, tha Bislimi.

Bislimi ka thënë se nuk ka pasur asnjë rast kur ka pasur presion ndaj tij në dialog, përveç një situate.

Bislimi ka deklaruar se një zyrtar i emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, ka tentuar që një propozim të tij, ta pasurojë me idenë e kreativitetit.