Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se pozita e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë s’ka qenë kurrë më mirë.
Duke raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, Zhvillim e Dialog, ai tha se s’ka asnjë arsye për brenga e skepticizëm.
“Unë si kryenegociator kam mandat të qartë dhe atij mandati i përmbahem 100 për qind, në atë mandat s’ka asnjë lëkundje. Pozita e Kosovës në procesin e dialogut s’ka qenë kurrë më mirë dhe s’ka asnjë arsye për brenga apo skepticizëm në tërësi. Muni me flejt shlirë”, u tha Bislimi, anëtarëve të komisionit.
Bislimi kishte deklaruar në dhjetor të vitit 2020, dy muaj para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 kur LVV-ja fitoi 50.28% të votave, se kishte probleme me gjumin si pasojë e rritjes së madhe të partisë.
Kur ato fjalë të Bislimit sikur ishin harruar, kryeministri Albin Kurti e ktheu të dielën në vëmendje ‘problemin’ e zëvendësit të tij me gjumin.
Duke folur për udhërrëfyesin me Serbinë për zbatimin e marrëveshjes për faturimin e rrymës në veri të vendit, Kurti tha se Bislimi bie në gjumë dhe zgjohet në mëngjes me preokupimin e regjistrit të konsumatorëve.


