Lajme

Bislimi – Lajçakut: Ura e Ibrit të hapet pa vonesa e pengesa

09/06/2024 12:58
nga:Sh R

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, të premten priti në takim emisarin special të Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak.

Sipas njoftimit, takimi u përqendrua në tri tema, përgatitjet për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve, zhvillimet lidhur me hapjen e urës kryesore të Mitrovicës mbi lumin Ibër, dhe rrugën përpara me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit.

Bislimi ka theksuar rëndësinë e hapjes së urës së Mitrovicës, duke e konsideruar atë një çështje të trajtuar dhe të dakorduar në Bruksel.

Ai ka insistuar që ura duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, i cili konfirmoi se punimet në urë kanë përfunduar dhe që ajo duhet të jetë e hapur pa vonesa dhe pengesa të mëtejshme.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”, thuhet në njoftim.

Zëvendëskryeministri ka potencuar se Qeveria e Kosovës është e angazhuar si palë konstruktive në dialog dhe mbetet e përkushtuar për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit.

Ai mes tjerash ka shprehur bindjen se nënshkrimi i këtyre dokumenteve është garancia e nevojshme për zbatimin e plotë nga Serbia dhe llogaridhënien për shkeljet e vazhdueshme nga ana e saj.