Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se shumica e diskutimit të sotëm që ai e pati me kryenegociatorin serb në dialog, Petar Petkoviq, kishte të bënte me mundësitë se si të zbatohet marrëveshja bazike dhe aneksi i saj.
Bislimi tha se nga pala serbe kërkoi të dijë se “a kemi marrëveshje”, ndërsa tha se Petkoviq i bishtnoi përgjigjes, raporton Gazeta Express.
“Ne në vazhdimësi duam të dëgjojmë nga pala serbe se a kemi marrëveshje dhe a jemi të përkushtuar që këtë marrëveshje ta zbatojmë në tërësi. Iu bishtnua përgjigjes disa herë, përderisa në fund u tha që ‘jo për Serbinë është problematike marrëveshja, për shkak se ka nene që merren me statusin’, sidomos ato nene për respektimin e integritetit territorial, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare e të ngjashme. Në fakt na u tha se Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë, dhe po ashtu na u tha që për Serbinë është e pamundshme të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën”, tha Bislimi.
Kryenegociatori i Kosovës tha se ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak konstatoi se “Serbia ka problem të lëvizë në këtë drejtim” dhe se “është dëshpëruese që edhe një vit pas ne ende nuk kemi bërë përparime substanciale në këtë”.
“Kryenegociatori i Serbisë nuk kishte kurrfarë mandati të diskutonte për këtë”, tha Bislimi.
Bislimi tha se në takim “u trajtuan mundësitë se si të formalizohet, respektivisht të regjistrohet marrëveshja bazike dhe aneksi implementues”.