Në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë po vazhdon debati mes anëtarëve të opozitës dhe zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.
Deputetja Ariana Musliu-Shoshi tha se nuk është detyrë e emisarit Miroslav Lajçak që të informojë ekipin negociator. Bislimi tha se kjo është amatoreske. Duke iu referuar si ish-profesor, Shoshi tha se Bislimi nuk i kishte ligjëruar për dialog por për financa publike.
Deputetja Time Kadriaj tha se është “marre” që të thuhet se nuk janë gjetur dokumente në sirtarë e të shkohet në Bruksel për t’u informuar.
Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka kërkuar nga anëtarët e komisionit të mos flasin pa pasur informacione.
“Mos flisni pa asnjë informatë. Edhe në raportin e dorëzimit thuhet se këto i ka dorëzuar zotëri Hoti. Unë mendimet e mia i jap, jo të Lajçakut. Nëse doni me bo spektakël dilni jashtë boni spektakël”, ka shtuar ai.
Tutje, anëtari Xhavit Haliti ka thënë se nuk po dihet se cili është roli i Bislimit në këtë dialog, për çka ka kërkuar edhe të përgjigjet në pyetjet e tyre.
Ndërsa, Besnik Bislimi ka përsëritur se dialogu do të vazhdojë në pjesën e dytë të muajit qershor.
“Nuk ka pasur bisedime, ka pasur raportim të Lajcak për ecurinë e deritanishme. Nuk do të ketë takime dhe bisedime para pjesës së dytë të qershorit”, tha zëvendëskryeministri.
Ndërsa, anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti, ka pyetur Bislimin nëse ka kompetenca të nënshkruajë në emër të Kosovës.
“A je nëpunës i kryeministrit, apo ke kompetenca të plota që të vendos dhe nënshkruash për Kosovën”, ka pyetur Haliti.