Edhe këtë vit Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e duhura për festat e fundvitit, në mënyrë që qytetarët të ndihen sa më të sigurt dhe të ruhet rendi dhe prona publike dhe ajo private. Kështu është shprehur Bekim Bislimi, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Kosovës në Rajonin e Prishtinës .
“Si zakonisht festat e fundvitit reflektojnë me një prezencë të shtuar të qytetarëve në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare, ku reflekton natyrshëm edhe numri i bashkatdhetarëve që vijnë për festa. Në këtë kontekst Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit, duke iu referuar një urdhri operativ nga Drejtoria e Përgjithshme ka përpiluar një plan operativ për festat e fundvitit. Konform kësaj kemi të angazhuar njësi të mjaftueshme për ruajtjen e rendit, qetësisë publike, jetës dhe pronës publike dhe asaj private”, tha Bislimi.
Ai ka thënë se fatmirësisht ka zvogëlim të rasteve me lëndime nga viti në vit, por u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin përdorimin e armëve të zjarrit, si dhe të marrin udhëzimet e nevojshme për përdorimin e mjeteve piroteknike.
“Fatmirësisht kemi rënie të numrit të personave të lënduar nga përdorimi i fishekzjarrëve pa udhëzime të mjaftueshme, njëkohësisht në rënie e sipër është edhe numri i personave nga përdorimi i armëve të zjarrit. Megjithatë nuk duhet të ndihemi komfort, pasi referuar një statistike të vitit të kaluar kemi pasur 10 raste të raportuara të përdorimit të armëve dhe si rezultat që është dëmtuar prona private, e fatkeqësisht kemi pasur edhe një lëndim trupor. Prandaj, shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje qytetarëve që të festohet me zemër, e jo me armë”, tha ai.
Bislimi ka thënë se përdorimi i mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve duhet të bëhet sipas udhëzimeve, e të cilat, sipas tij, qytetarët mund t’i marrin në çdo kohë nëse i kërkojnë. Ai ka thënë se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm edhe ku i përdorin ato, pasi sipas rregullores është i ndaluar përdorimi në vende publike, aty ku ka qarkullim të madh të njerëzve, afër çerdheve, në shesh, te pompat e derivateve etj.
Ai ka thënë se për shkelësit e rregullores ka gjoba, e të cilat nuk janë të vogla: “Gjobat për personat fizik janë nga 200 deri në 500 euro, ndërsa për ata juridik prej 1 mijë deri në 5 mijë euro varësisht prej kundërvajtjeve që shkakton”, shtoi ai.
Sipas Bislimit përdorimi i armëve nuk e justifikon aspak festën dhe ka bërë thirrje që ato të shmangen nga të gjithë qytetarët./RTK