Lajme

Billing takohet me Kurtin, e mirëpret vendimin e Qeverisë për lejimin e mallrave serbe

10/07/2024 23:04
nga:Gazeta Blic

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ka shkruar të hënën në Facebook për vizitën në Kosovë të drejtoreshës për Evropë e këtij shteti, Victoria Billing, e cila është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti

Ajo e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të lejuar kalimin e sigurt të mallrave përmes pikës kufitare në Merdare, kësisoj thuhet se kjo i ndihmon progresit në CEFTA.

Po ashtu, ka përmendur potencialin për rritjen e investimeve Mbretëri e Bashkuar-Kosovë.

“Ajo e nisi vizitën e saj me takimin me kryeministrin Albin Kurti. Ajo përshëndeti vendimin e qeverisë për të lejuar kalimin e sigurt të mallrave përmes pikës së kalimit Medare, si një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të progresit në CEFTA. Ata gjithashtu diskutuan potencialin për rritjen e mundësive për investime MB-Kosovë, çështjet e sigurisë dhe marrëdhëniet me komunitetet joshumicë”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike.

Qeveria e Kosovës sot ka vendosur të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta lërë Kosovën jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit. Kurti ka konfirmuar se qeveria do të lejojë hyrjen e mallrave nga Serbia nëpërmjet vendkalimit kryesor kufitar në Merdarë.

Gjermania ka qenë më aktive në këtë kërkesë, duke përmendur mundësinë që Kosova të mbetet jashtë CEFTA, një mekanizëm rajonal që mundëson tregtinë e lirë.