Lajme

Biletë pa kthim e të rinjve nga Kosova drejt Gjermanisë, afaristët- Qeverisë: 300 euro pagë nuk mjaftojnë as të mbushësh veturën me naftë

07/13/2022 18:09
nga:Genita C

Jahir Morina, afarist nga Kosova thotë se emigrimi i 220 mijë qytetarëve të Kosovës në dekadën e fundit, është mjaft shqetësuese teksa flet edhe për ndikimet kryesore që kanë të bëjnë me këtë ikje masive, raporton GazetaBlic.

“Ndikimet janë të lidhura mes vete, të gjithë njerëzit janë të interesuar për një jetë më të mirë, një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre”, thotë Morina.

Morina në një prononcim për GazetaBlic, akuzon edhe Qeveritë e kaluara dhe Qeverinë aktuale, të cilat sipas tij nuk kanë pasuar asnjëherë ndonjë plan zhvillmor.

“Ndikimi i Qeverisë, jo vetëm kësaj aktuale por të gjitha Qeveritë, nuk është se kanë bërë ndonjë plan zhvillimor, që të rinjve t’ju krijohet hapësira për të punuar e mos të ikin jashtë vendit”, thotë Morina.

Përveç qytetarëve të punësuar në sektorin privat, Morina thotë se edhe sektori publik rrezikohet të mbetet pa punëtorë, pasi sipas tij paga 300 e 400 euro nuk mjafton as për udhëtim për punë.

“Personat që punojnë në sektorin publik më nuk shohin asnjë shpresë, me 300 e 400 euro rrogë, nuk mund të bësh asgjë, madje nuk mund të mbushësh as karburantin për të shkuar në punë. Ka shumë faktorë, por ai më kryesori është politikat e gabuara dhe pagat e ulëta, njerëzit nuk munden të mbijetojnë me këtë pagë”, tha Morina për GazetaBlic.

Arsyeja kryesore për ikjen e të rinjve nga Kosova, sipas kryetarit të Odës së Hotelerisë e Turizmit, Hysen Sogojeva, janë pagat.

Sogujeva tha për GazetënBlic se, është dashur shumë më herët që Qeveritë të merren me çështjen e punësimit të të rinjve.

Ai thotë se, nëse pagat do të jenë të njëjta, edhe gjendja në Kosovë do të jetë po e njëjta, pra e braktisur nga të rinjtë.

“Është për t’u brengosur largimi i të rinjve nga Kosova por, me këtë çështje është dashur Qeveria të merret më herët, madje edhe Qeveritë e kaluara. Ka qenë e mundur që përmes Ministrisë së Arsimit ose përmes formave të ndryshme, të hapen rrugë të reja, që janë të përshtatshme për atë profesion që të rinjtë po mbarojnë studimet, sidomos në shkollat profesionale. Punëtorët që punojnë në sektorin publik, e veçanarisht ata që punojnë në atë privat, të kenë paga më të mëdha sepse me këto paga, gjendja do të jetë e njejtë”, tha Sogujeva./GazetaBlic/

“Kosovën po e braktis ‘truri’”, thirrje Qeverisë ta ndalojë ikjen e të rinjve – rreziku që vendi të mbetet pa punëtorë