Lajme

Bie numri i rasteve të dhunimit në Kosovë | Sociologia Rrustemi: Një lajm që na gëzon shumë

08/04/2024 12:48
nga:N K

Dhunimi është një sjellje e papranushme dhe e dëmshme, e cila shkel në masë të madhe të drejtat e individit. Çdo formë që ka të bëjë me dhunën (dhunë fizike, psikologjike, seksuale, emocionale, ekonomike) ka pasoja të rënda për secilin individë, ku ka ndikim edhe në shoqëri.

Por, për dallim nga vitet e kaluara, Kosova gjatë këtij gjashtëmujori (janar-qershor 2024), sipas raportit policor të siguruar nga GazetaBlic, rastet e dhunimit kanë shënuar rënie me -52%.

“Numri i rasteve të dhunimit ka shënuar rënie për -52%”, thuhet në raportin e Policisë.

Në lidhje me rënien e rasteve të dhunimeve, në një deklaratë për GazetaBlic, sociologia Bukurie Rrustemi, ka thënë se një lajm i tillë na gëzon shumë dhe që sipas saj faktorët që ndikojnë në kryerjen e kësaj dukurie janë të shumtë.

“Së pari, lajmi i rënies së numrit të dhunimeve është një lajm që na gëzon shumë. Mund të përmendim faktorët që kanë ndikuar në rënien e rasteve të dhunimeve: Emancipim më i lartë i grave për denoncim të rasteve në polici, shtimi i kamerave në hapësira publike, reagimi më i shpejt institucional, efikasiteti i policisë, dënimet e shtuara, presioni i mediave sociale, etj.”, tha Rrustemi.

Sociologia tutje thotë se ka raste të dhunimit të cilat nuk raportohen në polici për shkak të frikës së paragjykimeve, e njëra ndër to edhe mungesa e emancipimit të individit.

“Ka shumë raste që fatkeqësisht nuk raportohen në polici, ato mbahen të fshehura në familje dhe për pasojë dhuna vjen e shtohet ndaj viktimës. Hezitimi për t’i raportuar vjen për shkak të frikës së paragjykimeve, të mungesës së emancipimit të individit, mendimi që nuk do të ketë përkrahje nga familja dhe shoqëria, frika se abuzuesi do ta shtojë dhunën”, shtoi ajo.

Rrustemi ka theksuar se rritjet e rasteve të dhunimit mund të vijnë si pasojë e një kulture të ulët të edukimit, emancipimit dhe zhvillimit të shoqërisë.

Po ashtu, ajo vlerëson se është i rëndësishëm bashkëpunimi me të gjithë akterët shtetëror, në mënyrë të mbrohen individët që mund të jenë të rrezikuar nga rastet e dhunimit.

“Mirëpo, konsideroj që është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me të gjithë akterët shtetëror në shtimin e efikasitetit në mënyrë që të mbrohen sa më shumë individët në rrezik, për të mos rënë viktimë e dhunës”, përfundoi Rrustemi.

/GazetaBlic/