Lajme

Biden uron Vuçiqin për Ditën e Shtetësisë: SHBA mbështetë normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën

02/14/2023 17:10
nga:Astrit Gashi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar sot një porosi urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden, me rastin e ditës së shtetësisë së Republikës së Serbisë, shkruan GazetaBlic.

Në porosinë e tij, Biden i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë popullin e Ukrainës dhe të kërkojë llogari nga Rusia, duke shtuar se SHBA do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

“I nderuari zoti President, Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urime të sinqerta juve dhe popullit të Serbisë me rastin e Ditës së Shtetësisë, të cilën ju e festoni më 15 shkurt. Gjatë viteve të fundit, Serbia dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, duke krijuar një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Së bashku, ne duhet të vazhdojmë të mbështesim popullin e Ukrainës dhe të mbajmë Rusinë përgjegjëse për luftën e saj të padrejtë dhe të paprovokuar kundër Ukrainës. Në vitin e ardhshëm, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, nën patronazhin e BE-së. Ne mirëpresim mbështetjen tuaj për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin, i cili do të kontribuojë në krijimin e një të ardhmeje më paqësore dhe të begatë për rajonin. Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të partneritetit të vendeve tona dhe miqësisë së popujve tanë”, thuhet në porosinë e urimit të Presidentit Biden, përcjellë GazetaBlic.