Lajme

Biden pritet të heqë Kubën nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin

01/15/2025 07:28
nga:Y I

Presidenti Joe Biden njoftoi Kongresin për qëllimin e tij për të hequr statusin e Kubës si vend që mbështet terrorizmin, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Vendimi është pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kisha Katolike për lirimin e të burgosurve politikë në Kubë.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se “dhjetëra” të burgosur politikë dhe të tjerë që konsiderohen nga Shtetet e Bashkuara të ndaluar në mënyrë të padrejtë do të lirohen deri në mesditën e 20 janarit.

Shtetet e Bashkuara do të lehtësojnë gjithashtu disa sanksione ekonomike ndaj Kubës, si dhe do të anulojnë një memorandum të vitit 2017 të lëshuar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump që ashpërsonte qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës.

Disa orë pas njoftimit të Presidentit Biden, Presidenti i Kubës Miguel Diaz-Canel tha se qeveria e tij do të lirojë gradualisht 553 të burgosur pas bisedimeve me kishën katolike.

Më herët qeveria e tij shprehu mirënjohjen.

“Megjithë shtrirjen e tij të kufizuar, ky është një vendim në drejtimin e duhur dhe është në përputhje me kërkesën e qëndrueshme dhe të vendosur nga qeveria dhe populli i Kubës”, tha ministria e jashtme e vendit përmes një deklarate për shtypin.

Vendimi i Presidentit demokrat, mandati i të cilit përfundon javën e ardhshme ka të ngjarë të përmbyset që në fillim të javës së ardhshme pasi republikani Trump të marrë detyrën dhe Marco Rubio të marrë postin e Sekretarit të Shtetit.

Kongresi dhe administrata e ardhshme e zotit Trump do të kenë mundësinë të rishikojnë dhe të ndryshojnë vendimet e zotit Biden, megjithëse zyrtarët e lartë të administratës amerikane thanë se administrata e Presidentit Biden kishte vendosur se nuk kishte “asnjë provë të besueshme” se Kuba aktualisht është e angazhuar në mbështetjen e terrorizmit ndërkombëtar.