Lajme

Biden: Nuk besoj që talibanët kanë ndryshuar

08/19/2021 17:26
nga:M K

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se ai nuk beson se talibanët kanë ndryshuar dhe se, sipas tij, ata tani po kalojnë nëpër një “krizë ekzistenciale” lidhur me atë nëse duan legjitimitet në skenën botërore pasi morën pushtetin në Afganistan.

Kur u pyet gjatë intervistës për ABC – që u transmetua më 19 gusht – se nëse ai beson që talibanët kanë ndryshuar, presidenti Biden u përgjigj: “Jo”.

“Mendoj se ata po kalojnë nëpër një krizë ekzistenciale lidhur me atë nëse duan që të njihen nga komuniteti ndërkombëtar si qeveri legjitime. Nuk mendoj se ata duan një gjë të tillë”, tha Biden.

Fuqitë perëndimore po përballen me vendimin se a duhet të merren me talibanët, të cilët i kanë luftuar për pothuajse 20 vjet, pasi militantët më 15 gusht morën nën kontroll Kabulin, pas një ofensive të shpejtë ushtarake, ku morën nën kontroll shumicën e provincave afgane. Marrja nën kontroll e Afganistanit nga talibanët ka rritur frikën se grupi fundamentalist do të rikthejë udhëheqjen brutale.

Liderët talibanë kanë thënë se ata duan paqe dhe një qeveri gjithëpërfshirëse – në suaza të parimeve të Islamit. Ata po ashtu janë zotuar se nuk do të hakmerren ndaj kundërshtarëve dhe do të respektojnë të drejtat e grave, bazuar në ligjin islam.

Presidenti amerikan, Biden tha se kërcënimi nga al-Kaida dhe organizatat e lidhura me të “është më i madh në pjesë të tjera të botës sesa në Afganistan”, duke shtuar se bota nuk mund të injorojë “problemet në horizont” që paraqesin bashkëpunëtorët e al-Kaidës në Siri dhe në Afrikën Lindore, ku ai tha se kërcënimi për Shtetet e Bashkuara “është dukshëm më i madh”.

Biden po ashtu u pyet edhe për shqetësimet lidhur me trajtimin e grave dhe vajzave në Afganistan dhe ai tha se forca ushtarake nuk është përgjigja për këtë çështje.

“Ideja që ne të jemi në gjendje të rregullojmë çështjen e të drejtave të grave në mbarë botën përmes forcës ushtarake nuk është ide racionale. Ka shumë vende të botës ku gratë shtypen. Mënyra se si duhet ta trajtojmë këtë çështje është që të bëjmë presion ekonomik, diplomatik dhe ndërkombëtar mbi ta, në mënyrë që ata të ndryshojnë sjelljen”, tha Biden.

Sipas Ligjit të Sheriatit, që talibanët imponuan kur udhëhoqën Afganistanin nga viti 1996 deri më 2001, grave dhe vajzave iu ndalua shkollimi dhe punësimi.

Po ashtu, gratë dhe vajzat ishin të detyruara që të mbuloheshin plotësisht gjatë daljes në publik dhe nuk mund të dilnin nga shtëpia pa shoqërinë e një të afërmi mashkull.

Më 18 gusht, Biden po ashtu ka thënë se forcat amerikane mund të qëndrojnë në Kabul edhe përtej 312 gushtit, që është data kur trupat amerikane duhet të tërhiqen nga Afganistani. Qëndrimi më i gjatë në Kabul mund të ndodhë me qëllim që të evakuohen të gjithë shtetasit amerikanë.