Lajme

Biden ne Varshavë, polakët kërkojnë armatosjen e Ukrainës

03/25/2022 22:47
nga:Astrit Gashi

Presidenti amerikan, Joe Biden ka arritur në orët e mbrëmjes në Varshavë, ku me mijëra polakë u tubuan në shenjë përkrahje me Ukrainën.

Tubimi para Pallatit të Kulturës dhe Shkencës në qendër të kryeqytetit polak u organizuan gjatë vizitës dyditore të presidentit amerikan për të paralajmëruar atë dhe liderët e NATO-s dhe vendeve perëndimore se premtimet e tyre nuk do ta ndihmojnë Ukrainën të fitojë luftën, duke kërkuar nga ata armatosjen e menjëhershme të Ukrainës.

“Ato armë duhet të dërgohen tani dhe jo pas disa javësh apo muajsh. NATO, Bashkimi Evropian dhe të gjitha vendet që mbështesin një Ukrainë të lirë – shumë premtime, është koha për veprim. Ukraina është objektivi i Rusisë dhe ka nevojë për mbështetjen tuaj të fortë”, ishte porosia e organizatorëve.

Organizatorët, iniciativa qytetare EUROMAJDAN – Varshavë dhe Fondacioni Kazimierz Pulaski kanë formuluar katër kërkesa kryesore për liderët perëndimorë.

U kërkua më shumë ndihmë për të mbyllur qiejt mbi Ukrainën dhe më shumë armë për Ukrainën si një çështje urgjente, e gjithashtu që vendet e NATO-s të fillojnë furnizonin më shumë armë në për mbrojtjen ajrore, duke përfshirë këtu edhe raketa me rreze të mesme dhe me rreze të gjatë të veprimit.

Krahas sanksioneve ndaj oligarkëve rusë, protestuesit kërkuan ndërprerjen e plotë të të gjitha lidhjeve biznesore dhe tregtare me Rusinë.

“Çdo euro që vjen në arkën e Kremlinit përdoret për të vrarë ukrainasit”, thanë protestuesit.

Kërkesa e fundit ishte vendosja e një embargo e plotë e importit të gazit dhe naftës nga Rusia.

“Numri i njerëzve që vdesin në Ukrainë për shkak të krimeve ruse po rritet çdo orë. Është e papranueshme vendimmarrja shumë e ngadaltë në vendet perëndimore, si dhe mosgatishmëria për të ofruar mbrojtje ajrore dhe për t’i dorëzuar urgjentisht pajisjet e nevojshme forcave të armatosura ukrainase“, thanë organizatorët.

Pjesa kryesore e programit të vizitës dyditore në Poloni e pret presidentin amerikan në Varshavë të shtunën, ku do të vizitojë refugjatët ukrainas së bashku me kryeministrin polak dhe kryebashkiakun e Varshavës në stadiumin kombëtar të Varshavës.

Vizita e Bidenit do të përfundojë me një fjalim në Kështjellën Mbretërore në Varshavë.