Lajme

Biden: Inkurajojmë Kosovën të përmbushë obligimet e dialogut me Serbinë

02/16/2024 12:36
nga:Y I

Presidenti amerikan, Joe Biden, në urimin e tij për 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, inkurajoi udhëheqjen në Kosovë që të përmbushë të gjitha obligimet nga dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë.

“Së bashku me shtetet e tjera në rajon dhe mbarë botën, SHBA-ja inkurajon udhëheqjen e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet, përfshirë edhe të gjitha marrëveshjet e arritura përmes këtij procesi”, tha Biden në urimin dërguar presidentes Osmani.

Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm “të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues”.

“Ne po ashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes eventuale reciproke”, tha Biden.

 

Biden e uron Osmanin për ditën e pavarësisë