Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Besnik Tahiri, është takuar me gratë llapjane, ku ka diskutuar për sfida e tyre dhe nevojën për mbështetje institucionale, raporton Gazeta Blic.
Tahiri ka lartësuar rolin e gruas në familje dhe shoqëri dhe thotë se do të synojë që roli i tyre të jetë edhe më vendimarrës në institucionet lokale.
Ai ka theksuar se tani është koha që bashkërisht ta zhvillojnë Podujevën.
Shkrimi i plotë nga Besnik Tahiri:
Në kuadrin e diskutimeve/analizave për hartimin e programit, takova gra që angazhohen në sfera të ndryshme. Është evidente se në çdo segment një grua hasë në pengesa, në varësi të moshës, punës apo lagjes ku jeton. Por, më impresionon ngjashmëria e dëshirave, kërkesave dhe shpresës për qytetin.
Për këtë, ne do të ofrojmë një plan që prodhon zgjidhje, qoftë ato sektoriale, ashtu edhe ato zonale. Nga analizat e dokumenteve, mund të konstatohet se Podujeva renditet ulët, qoftë për nga masat, apo veprimet që ka ndërmarrë për barazi gjinore, e mos të flasim për të siguruar politika të veçanta për përfshirje socio-ekonomike.
Në secilin segment të trajtimit, gratë kanë rol e kontribut të veçantë, si vajza në familje, si nëna që kujdesen për t’u mësuar hapat e fëmijëve, si edukatore, si kujdestare të familjes, si gjyshe e si shtyllë e familjes.
Andaj, ne në varësi të moshës, punës e lagjes, do të prodhojmë zgjidhje të qëndrueshme për kujdesin ndaj fëmijës, për sigurinë, për punësimin, për rrugët, trotuaret, çerdhet, këndet e lojërave, spitalet, për barazinë socio-ekonomike, e për kujdesin në moshat e shtyra.
Hapi i parë për të treguar se komuna është e hapur e mbështetëse, që ato të kenë qasje në programe e politika, do të ndërtojmë këndin e lojërave dhe kujdesit për fëmijët në administratën komunale, kjo si tregues se kudo, në çdo veprim e politikë, do të përdorim qasje afirmuese. Nga këtu, me pjesëmarrje e përfaqësim të barabartë, gratë do t’i prodhojnë zgjidhjet më të mira për fëmijët, familjen e shoqërinë.
Investimet në lagje, fshat, apo politikat sektoriale, gjithnjë do të kenë parasysh interesin e grave, duke u reflektuar në buxhetimin e përgjegjshëm gjinor. Zonat zhvillimore, politikat sektoriale do të adresojnë specifikisht nevojat e kërkesat, ndërkaq Zyra për Strategji dhe Zhvillim, do të bashkë-hartojë programe, projekte me gratë në bujqësi, ekonomi apo edukim.
Ato dinë e janë̈ të zonja, të udhëheqin familjen e institucionet, si mësuese, mjeke, shërbyese publike, police, të drejtojnë biznese e të krijojnë politika.
Tash është koha që bashkërisht ta zhvillojmë Podujevën!


