Lajme

Besnik Tahiri për punësimet e militantëve të LVV-së: Krejt dhe drejt, yrysh me ‘kap’ KEK-un

04/05/2022 16:04
nga:Q R

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, duke komentuar  punësimet partiake e familjare të Lëvizjes Vetëvendosje në Borde e ndërmarrje publike, e me fokus punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës, thotë se me këtë qasje qeveria konfirmon se ka filluar kapjen e ndërmarrjeve publike, shkruan Gazeta Blic.

Tahiri në një prononcim për ‘GazetaBlic‘, ka ironizuar me moton e LVV-së duke thënë “Krejt dhe drejt, yrysh me kap KEK-un”

“Krejt dhe drejt, yrysh me kap KEK-un. Kjo qasje konfirmon nisjen e kapjes e edhe të ndërmarrjeve publike”, thotë ai.

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka thënë për GazetaBlic se ajo çfarë po ndodh që nga ardhja e Qeverisë “Kurti 2”, me Ndërmarrjet Publike, bordet e institucione të tjera ku po punësohet njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje është kapje e ashpër e institucioneve të pavarura.

“Veç edhe ma keq sesa ato dukuritë që ata i kanë kritikuar, bile përpara janë respektuar edhe procedurat, tash nuk po respektohen, po ndodhin emërime pa konkurs nëpër Borde, institucione të pavarura…. është shumë më keq…. kapje shumë ashpër e institucioneve”, ka thënë Veliu.

Kurse, njohësi i çështjeve politike Shemsi Jashari, tha për GazetaBlic se sikur vetë Kurti dhe Vetëvendosja nuk do t’i kishte denoncuar vite radhazi partitë politike për një dukuri të tillë, nuk do të habitej askush dhe se qytetarë tashmë janë të mësuar me një gjë të tillë, që për t’u punësuar duhet të kesh lidhje politike.

“Raportimet për punësime të militantëve partiak, farefisit, të personave të afërt me pushtetin dhe zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet, nuk do të përbënte fare lajm e as nuk do të habitej askush sikur të mos e kishte denoncuar vetë Vetëvendosje dhe z. Kurti, për vite të tëra këtë dukuri të nepotizmit dhe klientelizmit partiak e politik. Qytetarët janë mësuar tashmë shumë vite që, për t’u punësuar duhet të kesh lidhje politike, duhet dikujt t’i bësh vota, duhet për dikë të mbyllësh sytë”, tha Jashari.

Ai theksoi se Vetëvendosje erdhi në pushtet duke premtuar se një dukuri e tillë nuk do të ndodhë, por që po rezulton e kundërta.

Veliu për punësimet e militantëve të VV: N‘kohën tonë janë respektuar procedurat, këta po punësojnë pa konkurruar hiq, kapje e ashpër e shtetit

Jashari për punësimet partiake e familjare: Është e dhimbshme sepse ka thyer shumë pritje, ka zhgënjyer shumë qytetarë dhe ikja nga Kosova është shqetësuese