Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se zhvendosja e debatit për Ligjin e Pagave në media pa ndodhur dialogu i mirëfilltë me partnerët institucionalë dhe me Kuvendin e minon procesin që në nisje.
Sipas Tahirit mos reflektimi në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Institucionet e Pavarura Kushtetuese, është tendencë e qartë për ta dështuar ligjin.
“Vetë shtojca 8, paga e drejtuesit të lartë në ministri, është më e madhe se në Agjencitë e Pavarura Rregulluese”, shkroi ai.
“Ky proces, pa parime të qarta, se cila është baza e nisjes llogaritëse (vlera e koeficientit). Rritja e hendekut të pagave nga 1 me 10 në 1 me 20; më tepër synon akomodimin e diskriminimit, sesa parimit paga e njëjtë për punën e njëjtë. Vendosja e koeficientit asokohe 239, ka qenë niveli bazë i pagës minimale brenda administratës shtetërore”, shtoi Tahiri.
Tahiri shprehi gatishmërinë e AAK-së për të kontribuar në këtë proces.
“Duke qenë se ky proces konsolidon themelet e pagesës për administratën shtetërore, por edhe mishërimit me këtë çështje, kemi gjithë përkushtimin për të kontribuar që ky ligj të dalë në dritë. Si kontribut të parë dhe rekomandime, vlerësoj të domosdoshme: Të rritet vlera e koeficientit, Procesi të komunikohet qartë që të mos krijohen paqartësi dhe rritje të hendekut me përfaqësuesit sindikal, Palët të nisin dialogun serioz mbi parimet e qarta që rregullojnë procesin, Problemet e identifikuara nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të reflektohen në tërësi, Të reflektohen pikëpamjet e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë: BE, SIGMA, Banka Botërore dhe profesionistëve të çmueshëm në administratë, Të diskutohet me opozitën për t’i informuar mbi procesin dhe zgjerimin e konsensusit mbi një proces vital sikurse ky i Ligjit të Pagave”, përfundoi Tahiri.
Musliu: Qytetarët të dëshpëruar dhe të pashpresë me Kurtin, të shqyrtojnë ikjen nga Kosova