Zëvendëskryeministri i vendit Besnik Bislimi është shprehur se Raporti i Progresit nga Bashkimi Europian, përmban pasaktësi.
Madje sipas tij në disa raste ka pasur edhe ‘’absorbim të informacioneve, duke shtuar se në këtë raport, rekomandohet aprovimi i Kodit të Procedurës Penale, ndonëse i njëjti është kryer në shtator.
”Kam një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha komisionet. Kemi një situatë në gjashtë muajt e fundit, e cila nuk mund të përshkruhet me këtë fjali që e hasim në raportin e progresit”.
”Me këtë qeveri, çështja e progresit europian ka marrë përparësi primare”.
”Kjo vlen edhe për shifrat e zhvillimit ekonomik edhe për të hyrat buxhetore. Por edhe për statistikat që kanë të bëjnë me procesin e vaksinimit. Në Raportin e progresit përmendet marrëveshja e 30 shtatorit për targat, që nënkupton se me pak bashkëpunim kemi mundur t’i përfshijmë të gjitha të dhënat deri më 30 shtator”, tha ai.
Këto komente Bislimi i bëri në tryezën me temën “Raporti i BE-së për Kosovën 2021”, organizuar nga Instituti EPIK në bashkëpunim me Komisionin për Integrim Evropian dhe me mbështetje të GIZ-it.